Fshati ku qëndruan Lord Bajroni dhe piktori Eduard Lear, që u mrekulluan me ndërtimin dhe afresket e kishave. Vendlindja e shumë personaliteteve të artit, kulturës, por edhe i patriotizmit, për të cilët vendasit ndihen krenarë.Udhëtim në Vuno, në një prej fshatrave bregdetarë të Jugut nga më të rrallët në Shqipëri për arkitekturën e veçantë e të rafinuar, urbanizimin, për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën kombëtare.
Nuk dihet se sa mijë vjet më parë njerëzit u ndalën në këto anë dhe u mahnitën nga relievi i përthyer por mrekullisht i bukur. Pastaj hoqën gurët, ngritën ledhe e ndërtuan tarraca. Thuhet se vetëm për një hektar tokë atyre u është dashur të zhvendosin rreth 3000 metra kub gurë! Ishin njerëz të punës, me vështrim drejt së ardhmes, trima, të besës, plot pasione dhe shumë të bukur.Banorët e Kaonisë, siç thirreshin në kohë të lashta, shtëpitë i ndërtuan rrëzë maleve si për t’u mbrojtur nga piratët e detit dhe për të kursyer ato ngastra toke që i përftonin me mund të madh.U ngritën fshatrat e Rivierës, njëri më i bukur se tjetri, gati-gati qytete të vegjël, të gjithë në një harmoni të habitshme ndërtimesh, që i dallon në gjithë vendin.Vunoi është një nga këto fshatra që i bën nder krahinës për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën tonë kombëtare.
Fshati është vendosur në shpatullat e malit të Mjegulloshit, me shtëpi të gurta dy a tre katëshe, ku do të ndeshesh me atë dukuri që vëren Kadareja për Gjirokastrën “nëse do të rrëzohesh nga çatia e një shtëpie do të biesh në çatinë e një tjetre më poshtë!”Ndërtesat “shohin” të gjitha nga deti, por pa ia zënë dritën njëra-tjetrës. Ato lidhen me rrugë të kalldrëmta duke krijuar një konfiguracion të përsosur, madje shpesh ato gjarpërojnë poshtë qemerëve mbi të cilat ngrihen shtëpitë e banimit.